Në kuadër të reformës për përmirësimin e sistemit të taksimit të pasurisë dhe rritjes së transparencës në procesin e vlerësimit të bazës tatimore, është hartuar Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, i cili është hedhur për konsultim publik në faqen zyrtare të Konsultimit Publik.
Reformimi i kësaj takse, përben një komponent kryesor në një proces reformimi strukturor që synon transformimin rrënjësor të financave lokale dhe decentralizimin e plotë fiskal të qeverisjes vendore. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme duhet të forcohet dhe shndërrohet në të ardhmen në shtyllën parësore të të ardhurave vendore, duke garantuar një burim më të qëndrueshëm, më të drejtë dhe më të parashikueshëm të të ardhurave për bashkitë.
Ndryshimet dhe risitë kryesore të pasqyruara në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” synojnë :
₋ Kalimin nga një sistemi taksimi i bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë taksimi i bazuar mbi sipërfaqen (area based) për tokën, në një sistem modern taksimi që takson si ndërtesat ashtu dhe tokën, duke e bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme;
₋ Të zgjerojnë bazën tatimore duke shtuar kategoritë e pasurive të paluajtshme që taksohen dhe rritur numrin e pasurive të paluajtshme të regjistruara në kadastrën fiskale;
₋ Të përmirësojnë barazinë dhe minimizojnë kostot e administrimi të taksës së pasurisë përmes standardizimit të proceseve dhe mbështetjes nga niveli qendror;
₋ Të përmirësojnë efektivitetin e mbledhjes së taksës;
₋ Të rregullojnë aspekte të parregulluara dhe optimizojnë disa prej proceseve kryesore të punës;
₋ Të rrisin transparencën dhe lehtësojnë ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve nga taksapaguesit, përmes publikimit të një game të gjere informacioni;
₋ Të vendosin një nivel të përshtatshëm taksimi për kategori të ndryshme të pronave, të përafruar me vendet e rajonit;
₋ Të qartësojnë rregullat mbi rimbursimin e detyrimeve tatimore, ankimin dhe njoftimin e akteve;
₋ Të forcojnë autonominë financiare të pushtetit vendor përmes krijimit të një burimi më të qëndrueshëm, më të drejtë dhe më të parashikueshëm të të ardhurave, duke fuqizuar kështu bashkitë dhe rritur në mënyrë të ndjeshme investimet dhe shërbimet për qytetarët dhe biznes
Projektligji dhe relacioni shoqërues është publikuar në faqen zyrtare sipas linkut të mëposhtëm dhe do të qëndrojë për konsultim deri me datë 15 korrik.
PROJEKTLIGJ “PËR TAKSËN MBI PASURINË E PALUAJTSHME”

