Miratimi i VKM Nr. 132, datë 7.3.2018 “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesa, të bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, ka bërë të nevojshme trajnimin e stafit të njësive të vetëqeverisjes vendore që do të punojë me këtë taksë.
Për këtë arsye, gjatë muajit Prill 2018, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në bashkëpunim me Projektin Planifikimi dhe Qeverisja Lokale të financuar nga USAID organizuan një etapë trajnimesh për Metodologjinë mbi taksën e pasurisë për ndërtesat. Më konkretisht DPTP dhe USAID organizuan tre trajnime në Fier, Lezhë dhe Elbasan, ku morën pjesë në total 98 nëpunës të administratës lokale tatimore nga 50 bashki të vendit.
Pjesëmarrja në trajnime ishte tepër e kënaqshme dhe pjesëmarrësit ishin të interesuar të mësonin më tepër rreth metodologjisë së re. Rezultati i trajnimit ishte rritja e njohurive dhe të kuptuarit rreth ndryshimeve të reja ligjore nga ana e punonjësve të vetëqeverisjes vendore që do të punojnë për zbatimin e taksës në nivel lokal. Nga ana tjetër trajnimi i shërbeu më së miri edhe vendosjes së kontakteve ndërmjet DPTP dhe organeve të vetëqeverisjes vendore, si dhe u identifikuan nevojat e këtyre organeve dhe nëpunësve të tyre për asistencë teknike dhe trajnim në të ardhmen.
Në përfundim të etapës së trajnimeve të gjitha materialet e përdorura në trajnim iu shpërndanë zyrtarisht të 61 bashkive së bashku me materiale të tjera për kuptimin dhe implementimin metodologjik të taksës së pasurisë mbi ndërtesat.
