Në datën 1 Tetor 2018 Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë (DPTP) me angazhim të projektit ProTax Albania, ofroi për bashkitë versionin beta të sistemit informatik të Kadastrës Fiskale. Qëllimi i këtij versioni ishte për të informuar dhe familjarizuar përfaqësuesit e bashkive me funksionalitet e sistemit informatik të Kadastrës Fiskale.
Sapo projekti ProTax Albania bëri të disponueshëm versionin beta, DPTP dhe grupi i ekspertëve të ardhur nga Kosova në kuadër të projektit ProTax realizuan ciklin e parë të trajnimeve mbi versionin beta të sistemit. Trajnimet u zhvilluan në qytetet Kukës, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe përfunduan në datën 25 Tetor në qytetin e Pogradecit.
Gjatë ciklit të parë të trajnimeve morën pjesë dhe u trajnuan 130 punonjës të administratës së taksave nga 59 bashki. Këta punonjës do të jenë përgjegjës mbi punën e realizuar nga bashkitë përkatëse në sistemin informatik të Kadastrës Fiskale dhe për këtë arsye duhet të ketë njohuri të plota mbi mënyrën si funksionon sistemi informatik i Kadastrës Fiskale.
Trajnimi ishte i fokusuar kryesisht tek funksionet e sistemit informatik të Kadastrës Fiskale, mënyrës së aksesimit të sistemit, elementët e sistemit dhe veçanërisht mbi mënyrën e popullimit të sistemit me të dhëna të reja dhe përditësimin e atyre ekzistuese.