Një nga përgjegjësitë e Prefekturave është edhe verifikimi i ligjshmërisë së akteve të miratuara nga Këshillat Bashkiak. Në këto kushte Prefekturat kanë për detyrë edhe verifikimin e aktit të Këshillave Bashkiak lidhur me taksën e pasurisë së paluajtshme ndërtesë.
Për t’i ardhur në ndihmë stafit të prefekturave që do të punojë me vlerësimin e vlefshmërisë së akteve të Këshillave Bashkiakë lidhur me taksën e pasurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe me Projektin Planifikimi dhe Qeverisja Lokale të financuar nga USAID, organizuan, në datën 26 Dhjetor 2018, një trajnim me përfaqësues nga të 12 Prefekturat.
Trajnimi synonte prezantimin me Metodologjinë mbi taksën e pasurisë për ndërtesat, duke u përqendruar në kompetencat dhe çështjet tek të cilat Prefekturat duhet të bazohen gjatë vlerësimit të akteve të Këshillave Bashkiakë lidhur me taksën e pasurisë së paluajtshme ndërtesa.