Me datë 8 Shtator 2025, në ambientet e Bashkisë Roskovec u zhvillua një takim informues mbi reformën e taksës së pasurisë, ku morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, përfaqësues të DPTP-së dhe të projektit ProTax Albania.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me zhvillimet më të fundit teknike dhe ligjore që janë realizuar dhe ato që priten të implementohen në vijim si pjesë e reformës së taksës së pasurisë. U prezantuan ndryshimet ligjore dhe përmirësimet në Sistemin Informatik të Kadastrës Fiskale që synojnë një administrim më efektiv dhe transparent të kësaj takse.

Gjithashtu, u diskutua gjerësisht mbi procesin aktual të administrimit të taksës së pasurisë nga bashkia duke u ndalur veçanërisht te sfidat dhe problematikat që hasen në përditshmëri gjatë zbatimit të këtij procesi. Pjesëmarrësit ndanë eksperiencat e tyre, duke evidentuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme, trajnime dhe koordinim ndërinstitucional për të siguruar një administrim sa më të drejtë dhe efikas të taksës.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe informimin e bashkive për proceset në vijim si dhe rëndësinë e reformës së taksës së pasurisë në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe rritjes së të ardhurave vendore përmes një administrimi më të mirë të pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

en_USEnglish