Në kuadër të reformës për përmirësimin e sistemit të taksimit të pasurisë dhe rritjes së transparencës në procesin e vlerësimit të bazës tatimore, është hartuar Projektvendimi “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për pëcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”, i cili është hedhur për konsultim publik në faqen zyrtare të Konsultimit Publik.

Ky projektvendim propozohet për të mundësuar arritjen e objektivave të fazës së parë të reformës, që ka si kryefjalë të saj përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit të taksimit mbi ndërtesat, si dhe realizimin e punës paraprake për vazhdimin e reformës së ndërmarrë (disa nga ndërhyrjet që planifikohen në të ardhmen do të mundësohen apo lehtësohen si rezultat i arritjes së objektivave të fazës së parë të reformës).

Gjithashtu, projektvendimi paraqet çmimet e reja mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat që ndodhen në qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë (pa bashkinë Tiranë), për t’iu përafruar çmimeve reale të tregut. Çmimet e ndryshuara janë nxjerrë si rezultat i punës së grupit ndërinstitucional të punës, të ngritur në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 19, datë 30.1.2024, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e çmimeve mesatare referuese të banesave”, të ndryshuar. Grupi ndërinstitucional i punës ka bërë gjithashtu edhe ndarjen në zona të qyteteve.

Qëllimi i këtij projektvendimi është:

– Të thjeshtojnë rregullat dhe procedurat ekzistuese;

– Të eliminojnë paqartësitë, kundërshtitë dhe dykuptimësitë;

– Të rregullojnë aspekte të parregulluara të administrimit të taksës mbi ndërtesën;

– Të shtojnë prezumime të reja për të taksuar sa më shumë njësi ndërtese për të cilat nuk disponohen të gjithë të dhënat e nevojshme;

– Të optimizojnë dhe unifikojnë proceset kryesore të punës;

– Të përcaktojnë mekanizma që do të stimulonin përmirësimin e të dhënave në kadastrën fiskale;

– Të përmirësojnë aspekte që kanë të bëjnë me barazinë dhe efikasitetin e sistemit;

– Të rrisin potencialin për gjenerimin e të ardhurave nga taksa mbi ndërtesën;

– Të përshijnë disa nga tiparet dhe mekanizmat e sistemit të ardhshëm të taksimit që planifikohet të miratohet dhe zbatohet në të ardhmen e afërt.

📄 Projektvendimi dhe informacioni shoqërues është publikuar në faqen zyrtare sipas linkut të mëposhtëm dhe do të qëndrojë për konsultim deri me datë 20 gusht.

https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/850

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sqShqip