Ditën e sotme, datë 03.12.2025 është mbajtur eventi i mbylljes së projektit “ProTax Albania”. Të pranishëm në këtë event ishin Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, Ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Niklas Storm, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, z. Arben Seferaj, Menaxheri i Projektit, z. Bjarni Sigurdsson, si dhe drejtues të disa bashkive në vend.

Në këtë event për të pranishmit u mbajt prezantim i ecurirë së reformës së taksës së pasurisë dhe puna e kryer për ngritjen e Kadastrës Fiskale. Ky proces është një ndër reformat më të rëndësishme fiskale të viteve të fundit, me impakt të drejtpërdrejtë në mirëadministrimin vendor dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve.

Nga ana tjetër ministrat e pranishëm në fjalën e tyre vlerësuan rëndësinë e projektit “ProTax Albania”, i cili është në linjë me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare, në kuadër edhe të procesit të integrimit të vendit në BE.

Taksa e pasurisë është një burim i qëndrueshëm financiar për bashkitë, por mbi të gjitha është një mekanizëm që siguron drejtësi dhe rrit përgjegjshmërinë fiskale. Unifikimi i metodologjisë së zbatimit bën të mundur që të gjitha bashkitë të trajtojnë njësoj pasurinë e paluajtshme, duke shmangur ndryshimet e panevojshme dhe duke krijuar standarde të qarta për të gjithë vendin.

Zbatimi i projektit synon garantimin e reformës së taksës së pasurisë, bazuar në vlerën e tregut, krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe ndërtimin e Kadastrës Fiskale.

Sot, reforma e taksës së pasurisë ndodhet në një moment kyç. Kemi një sistem të ndërtuar dhe gati për t’u dorëzuar, një projektligj të hartuar sipas standardeve europiane, një bashkëpunim të konsoliduar me partnerët suedezë, dhe një vullnet të qartë institucional për të çuar përpara drejt fazës së fundit këtë reforme. Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky është parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm. Në vitin 2027 do të kryehet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave.Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i takës mbi tokën/truall dhe ky do të jetë edhe finalizimi i reformës në taksën e pasurisë.

Reforma e taksimit të pasurisë është një histori bashkëpunimi, e ndërtuar me ekspertizën dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe kontributi i partnerëve suedezë ka qenë i rëndësishëm dhe kyc në këtë arritje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sqShqip