-
- Koordinatori: Ani Hoxha
-
- E-mail: ani.hoxha@financa.gov.al
-
- Tel: 067 57 71 154
-
- Adresa: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr.3, Tiranë
-
- Orari:
-
- E Hënë – E Enjte 08:00 – 16:30
-
- E premte 08:00 – 14:00
• Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.
• Çdo person ka të
drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit
origjinal, ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që
mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.
• Kërkesa për informim
bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike në adresën e koordinatorit e cila është vendosur më lart,
duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij.
Kërkesa për informim duhet të përmbajë:
- emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
- adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
- përshkrimin e informacionit që kërkohet;
- çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.
• Kërkesa për informim
trajtohet nga ana e DPTP sa më shpejt që të jetë e mundur,
por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç
rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.
• Kur kërkesa është e paqartë
në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e saj, DPTP shqyrton kërkesën dhe nëse konstaton që nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ia dërgon organit kompetent jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës.
LIGJ Nr. 119/2014
PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT
(I ndryshuar me ligjin nr.78, datë 21.09.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”)
Neni 24
Procedurat për shqyrtimin e ankesave (shtuar togfjalëshi në shkronjën b) të pikës 5, ndryshuar togfjalësh në pikën 6, shtuar pika 6/1, me ligjin nr 78, datë
21.9.2023)
1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;
b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.
3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa,
të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, Komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.
4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.
5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;
ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;
b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme dhe sipas rastit, propozimin për të deklasifikuar informacion;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.
6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim brenda afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.
6/1. Autoriteti publik është i detyruar të zbatojë vendimin e Komisionerit kur ka urdhëruar dhënien e informacionit të kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos pezullimin e zbatimit të tij.
7. Procedura administrative e parashikuar në këtë nen nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.