Property Tax

Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues.

Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në Shqipëri pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të ndërtesave, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe.

Sipas ligjit nr. 9632 datë 30/10/2006 i ndryshuar, janë të përjashtuar nga taksa mbi ndërtesat këto kategori:

a) pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; 

b) pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave,
nën administrimin e shoqërive publike shtetërore; 

c) ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara; 

ç) banesat sociale në pronësi të bashkive; 

d) pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në
bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa
sociale; 

dh) ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre; 

e)  strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas
përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës
të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand
name”; 

ë) ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që
përfitojnë vetёm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre
përbëhet vetёm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre,
që janë të paaftë për punë;”

f) ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike; 

g) ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në
të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për
monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore. Të cilat përdoren
vetëm për qëllime jofitimprurëse.

Baza e taksës është vlera e ndërtesës e përllogaritur sipas metodologjisë së miratuar me VKM nr.132 datë 7/3/2018. Baza e taksës është produkt i çmimit vlerësues të ndërtesës me sipërfaqen dhe koeficientit përkatës për kategorinë e ndërtesës. Në mungesë të çmimeve të tregut për të vlerësuar bazën e taksës përdoren çmimet mesatare referuese të përcaktuara në aneksin 1 të VKM nr.132 datë 7/3/2018. Bashkitë nëpërmjet Këshillit Bashkiak kanë të drejtë qe jo më shpesh se një herë në vit për banesat në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014 mund të reduktojë çmimin mesatar referues të përcaktuar sipas qyteteve deri në masën -35% krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në bashkinë e Tiranës ky reduktim është deri në -30% krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale.

Nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja përdoren vlerat referuese për sipërfaqe:

100 m² sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim

70 m² sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim të privatizuara me ligjin nr.7652 datë 23/12/1992. Ky rregull për sipërfaqen e prezumuar vlen vetëm për ndërtesat qe shërbejnë për qëllime banimi, ndërsa për ndërtesat e tjera bëhen verifikime të sipërfaqeve për të llogaritur bazën e taksës.

 

Për ndërtesat që përdoren për qëllime banimi shkalla e taksës është 0.05%, ndërsa për ndërtesat që përdoren për veprimtari ekonomike shkalla e taksë sështë 0.2%. Megjithatë bashkitë mund të ndryshojnë shkallën e taksës deri në masën +,-30%. Në varësi të ndryshimeve të aplikuara shkalla e taksës për qëllim banimi përcaktohet në intervalin {0.035%, 0.065%}, ndërsa shkalla e taksës për veprimtari ekonomike në intervalin {0.14%, 0.26%}.

Kategori të ndryshme ndërtesash kanë koeficientë të ndryshëm. Koeficienti aplikohet mbi çmimin mesatar referues sipas aneksit 1 të VKM-së nr.132/2018, ku sipas këtij aneksi vlerat do të jenë kështu:

1-      për ndërtesat që shërbejnë për banim.

0.7- për parkim të mbuluar ose bodrum.

0.3- për parkim të hapur.

1.5- për ndërtesat që shërbejnë për veprimtari tregtimi dhe shërbime.

0.5- për veprimtari industrial, prodhim, përpunim dhe magazinim.

0.3- për ndërtesat që shërbejnë për veprimtari bujqësore dhe blegtorale.

Për ndërtesat e privatizuara çmim për m² është 70% vetëm në rastin e shitjes së parë.

 

Taksapaguesit kanë të drejtë të deklarojnë pasuritë e paluajtshme në pronësi apo përdorim. Në rast se vlera e deklaruar është e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmimin e vlerësuar si vlerë e bazës së taksës merret vlera më e lartë.

Taksapaguesi ka të drejtë të korigjojë të dhënat në lidhje me llogaritjen e taksës së ndërtesës duke bërë një kërkesë për korigjim në zyrën tatimore ose zyrën e agjentit të mbledhjes së taksës. Zyra tatimore Brenda 30 ditëve bën shqyrtimin e kërkesës. Nëse pas marrjes së përgjigjes taksapaguesi nuk bie dakord, ai ka të drejtë që bazuar në nenin 7 të ligjit nr.9632 datë 30/10/2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar t’i drejtohet strukturës vendore të apelimit tatimor. Shkalla e fundit e ankimimit është Gjykata Administrative.

 

Detyrimi i taksës mbi ndërtesat llogaritet si produkt i bazës së taksës me shkallën e taksës.

Baza e taksës= Çmimi vlerësues * Sipërfaqe (m²)

Çmimi vlerësues është njësia matëse e vlerës për m² të sipërfaqes së ndërtimit të pasurisë së paluajtshme. Ky çmim mund të jetë çmimi i tregut ose çmim i vlerësuar i përcaktuar sipas VKM nr. 132 datë 7/3/2018. Çmimi i tregut korrespondon me çmimin e deklaruar në transaksionin e shit-blerjes së njësisë pronësore jo më vonë se 3 vjet. Çmimi vlerësues është i ndryshëm nga çmimi i vlerësuar. Çmimi i vlerësuar i referohet çmimit mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qellime banimi, të listuara në Aneksin 1 të VKM-së nr. 132 datë 7/3/2018. Çmimi i vlerësuar për kategori të ndryshme llogaritet duke marrë në konsideratë koeficientët e përaktuar në Aneksin 2 të VKM-së nr. 132 datë 7/3/2018. Sipas këtij interpretimi çmimi i vlerësuar = çmimi mesatar referues * koeficientin e kategorisë përkatëse në aneksin 2.

 

Detyrimi vjetor i taksës së pasurisë duke marrë në konsideratë çmimin e vlerësuar për një apartament llogaritet si më poshtë:

Detyrimi vjetor i taksës = çmimi mesatar referues( sipas qytetit përkatës) * sipërfaqe (m²) * shkalla e taksës.

Detyrimi vjetor i taksës së pasurisë duke marrë në konsideratë çmimin e vlerësuar për njësi pronësore që përdoret për veprimtari tregtimi dhe shërbimi llogaritet:

Detyrimi vjetor i taksës = çmimi mesatar referues (sipas qytetit) * koeficientin sipas pikës a të aneksit 2 (1,5 ndërsa për Bashkinë Tiranë është 2) * sipërfaqe (m²) * shkalla e taksës.

 

Marrim shembull bashkinë Durrës e cila sipas aneksit 1 të VKM-së nr.132 ka një çmim mesatar referues 67500 lekë/m². Duke konsideruar një njësi pronësore me sipërfaqe 100 m² detyrimi vjetor i taksës do të jetë:

Detyrimi vjetor i taksës= 67500 lekë/m² * 100m² * 0.05%= 3375 lekë

Për ndërtesat para vitit 1993 (vetëm në shitjen e parë) çmimi mesatra referues do të reduktohet me 30% (67500 lekë/m² * 0.7= 47250 lekë/m²). Ky koeficient zbatohet në të gjithë Shqipërinë për ndërtesat para 1993, pork y reduktim aplikohet vetëm për shitjen e parë. Në këtë rast detyrimi vjetor i taksës do të jetë: 47250 lekë/m² * 100m² *0.05%= 2363 lekë. Nëse mbas privatizimit ndërtesa ka pasur transaksione shitje të tjera nuk përfiton reduktim me 30%, çmimi mbetet i pandryshuar.

Gjithsesi për njësitë administrative jashtë qytetit që iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore me hyrjen në fuqi të ligjit nr.115/2014, bashkia mund të reduktojë çmimin mesatar referues deri në masën 35% sipas VKM-së nr. 132/2018. Nëse Këshilli Bashkiak ka vendosur të reduktojë çmimin mesatar referues me 35% atëherë:

Për ndërtesat para vitit 1993 të privatizuara, por ende të pashitura çmimi mesatar referues do të jetë: 67500 lekë/m² * 0.7 *0.65= 30713 lekë/m².

Detyrimi vjetor i taksës do të jetë: 30713 lekë/m² * 100m² * 0.05%= 1536 lekë

Për ndërtesat e tjera çmimi do të jetë: 67500 lekë/m² *0.65= 43875 lekë/m² dhe detyrimi vjetor i taksës do të jetë: 43875 lekë/m² * 100m² * 0.05%= 2194 lekë

Gjithashtu bashkia sipas VKM-së nr.132/2018 mund të ndryshojë shkallën e taksës deri në +,-30%. Kjo do të thotë që për ndërtesat për qëllime banimi baza e taksueshme mund të shumëzohet me një shkallë takes në intervalin {0.035%, 0.065%} në varësi të vendimit të marrë që rrjedhimisht do të ndikojë dhë vlerën e detyrimit vjetor të taksës.

Rasti tjetër ka të bëjë me ndërtesat që shërbejnë për veprimtari ekonomike.

Duke marrë shembullin e mësipërm për qytetin e Durrësit, çmimi mesatar referues do të shumëzohet me koeficientin 1.5(për veprimtari tregtimi dhe shërbimi), pra 67500 lekë/m²* 1.5= 101250 lekë/m². Detyrimi vjetor I taksës do të jetë: 101250 lekë/m² * 100m² * 0.2% (shkalla e taksës për veprimtari ekonomike)= 20250 lekë. Për njësitë administrative ashtë qytetit që iu bashkuan njësive vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.115/2014, çmimi mesatar referues do të jetë: 67500 lekë/m² * 0.65= 43875 lekë/m² dhe detyrimi vjetor I taksës do të jetë: 43875 lekë/m² * 100m² * 0.2%= 13163 lekë. Gjithashtu bashkia sipas VKM-së nr.132/2018 mund të ndryshojë shkallën e taksës deri në +,-30%. Kjo do të thote që për ndërtesat për veprimtari ekonomike baza e taksueshme mund të shumëzohet me një shkallë takes në intervalin {0.14%, 0.26%} në varësi të vendimit të marrë që për rrjedhojë do të ndikojë dhe në detyrimin vjetor të taksës.

 

en_USEnglish