Në vazhdim të komunikimit me bashkitë, DPTP në bashkëpunim me Projektin ProTax, me datë 20 qershor zhvilluan një vizitë pune në Bashkitë Mirditë dhe Mat. Qëllimi kryesor i vizitave ishte diskutimi mbi statusin aktual të angazhimit të këtyre bashkive në procesin e pilotimit të reformës së taksës së pasurisë dhe prezantimi i versionit më të fundit të Sistemit Informatik të Kadastrës Fiskale.
Bashkia Mirditë
Në takimin e mbajtur në Bashkinë Mirditë, midis stafit bashkiak dhe ekspertëve, u diskutuan gjerësisht çështjet që lidhen me administrimin e taksave vendore në bashki me fokus në taksën e pasurisë. Më konkretisht, diskutimet prekën tematikat mbi rëndësinë e taksës së pasurisë në buxhetin vendor, prezantim i versionit të përditësuar të Sistemit Informatik të Kadastrës Fiskale si dhe komunikimi me taksapaguesit.
Interesi nga ana e bashkisë për të filluar punën ishte mjaft i lartë, ku nga ana e tyre u ndërmor angazhimi që duke filluar nga muaji korrik të bëhet verifikimi i njësive të bizneseve në Sistem.
Në përfundim palët mbeten të angazhuara për të vazhduar me zbatimin e proceseve, duke ofruar asistencë në punën e mëtejshme në sistem apo në materiale informuese për taksapaguesit.
Bashkia Mat
Pjesë e kësaj vizite pune, ishte edhe vizita në Bashkinë Mat nga DPTP dhe ekspertët e Projektit ProTax Albania.
Bashkia Mat, që nga viti 2019 ka rekrutuar një strukturë e cila është dedikuar taksës së pasurisë dhe fokusohet në regjistrimin e të dhënave, punën në terren për përditësimin, popullimin dhe konsolidimin me të dhëna të Kadastrës Fiskale.
Nisur nga bashkëpunimi dhe puna e mirë nga ana e bashkisë, fokusi i diskutimeve u orientua drejt administrimit të taksës dhe masave që mund të ndërmerren për mbledhjen e taksës. Më tej u diskutuan dhe problematikat që lidhen me taksimin e bizneseve që ofrohen me qera apo taksimin e ndërtesave në njësitë administrative.
Palët mbeten të angazhuara për të vazhduar me zbatimin e proçeseve të punës.